Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka bërë të ditur të enjten, se muajin e ardhshëm synon që t’i rrisë normat e interesit, për herë të parë në më shumë se 11 vjet.
Sipas ECB-së kjo do të bëhet për ta kontrolluar inflacionin në eurozonë, raportoi BBC-ja të enjten.
Banka ka njoftuar se normat parashihet të rriten deri në 0.25% në korrik, me rritje të mëtejme më vonë gjatë vitit.
ECB-ja po ashtu synon t’i japë fund programit të saj stimulues për blerjen e obligacioneve, më 1 korrik.
Ndërkohë, banka ka vlerësuar se inflacioni aktualisht ka arritur në 8.1%.
“Inflacioni i lartë është një sfidë e madhe për të gjithë ne. Këshilli drejtues i bankës do të sigurohet që inflacioni të kthehet në objektivin e tij prej 2% në periudhën afatmesme”, tha ECB në një deklaratë.
Hera e fundit që banka rriti normat e interesit në eurozonë ishte në vitin 2011.