Noteres 35-vjeçare nga Tirana, S.T., i janë sekuestruar 18 asete me vlerë 3 milionë euro, të cilat dyshohet se janë nga burime kriminale.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se është finalizuar operacioni policor i njohur si “Nënshkrimi”.
Po ashtu po bëhen hetime për të gjurmuar e sekuestruar prona të tjera të 35-vjeçare, me burime të dyshimta.
“Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe procedurale, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të 35-vjeçares, me burime të dyshimta, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje. Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin “Nënshkrimi”. Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare. Hetimet dhe veprimet operacionale, vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, ka njoftuar Policia e Shtetit.
Për rastin ka njoftuar edhe Prokuroria e Tiranës. Prokuroria ka thënë se dyshohet se gjatë perudhave 2013-2024, noterja ka kryer një numër transaksionesh për blerje të pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”.
Dyshohet se një pjesë e fondeve për blerje të pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, K.P., që është i dënuar me 21 vjet burgim.
“Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim. Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme. Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara”, ka njoftuar Prokuroria e Tiranës.