“Nuk është hera e parë, tash e 35 vjet kanë tentuar të më vrasin, por ja që fati ka dashur që unë të shpëtoj”

“Nuk është hera e parë, tash e 35 vjet kanë tentuar të më vrasin, por ja që fati ka dashur që unë të shpëtoj”

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka folur për Gazetën Express pas publikimit të informacioneve në mediumin “A2 news”, tekst i shkruar bazuar në dokumentin e publikuar nga hakerët, në të cilin thuhet se në vitin 2021 ishte planifikuar vrasja e kryeministrit Albin Kurti, Ismet Haxhës dhe Xhavit Halitit.

Sipas këtij raportimi, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë kishte marrë informacione për atentat ndaj tri figurave të përmendura më lartë.

I kontaktuar nga Gazeta Express, deputeti Xhavit Haliti tha se ka pas paralajmërime nga policia për atentat ndaj tij, por thekson se situatat si kjo ai i ka “të rregullta”.

“Unë kam pas paralajmërime, më kanë lajmëru edhe policia. U kanë një kohë kur më kanë ruajt, unë i kam këto të përhershme që nga viti 85, i kam kështu të rregullta”, tha Haliti për Gazetën Express.

I pyetur nëse ka pas informacione nga policia në vitin 2021, ai tha: “Më kanë tregu që është diçka por skam pas (mbrojtje). Ndoshta në distancë e që se kam ditë”.

Por, Haliti tha se rreth tri vjet më parë ai është ruajtur për gjashtë muaj nga mbrojtja e afërt e policisë.

“Rreth 3 vjet më herët më kanë ruajt 6 muaj kam pas mbrojtje të afërt të policisë, shtëpi, punë, rrugë kudo që kam lëvizë”, tha Haliti për Gazetën Express.

I pyetur nëse është informuar rreth arsyes së mundshme rreth vrasjes së tij, ai tha “nuk e di, ata e dinë”.

Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, të publikuara nga A2, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti.

Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës.

Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm.

Related Articles