Mohhamedi, bashkëshortja e tij dhe tre fëmijët, kanë arritur të hyjnë në kampin Maghazi në Gazën jugore të premten, pasi ikën nga veriu, por vazhdojnë të mos ndihen të sigurt.
“Po vuajmë se s’kemi asgjë, asnjë lehtësim”, ka thënë ai për BBC-në. “Situata është shumë e keqe, as lëvizja s’është e sigurt”.
31-vjeçari palestinez ka thënë se tri ditët e fundit kanë qenë të papërshkrueshme.
“Jemi pengje për të dyja anët, për Izraelin dhe për Hamasin”, ka thënë ai. “Nëse Izraeli nuk është në gjendje ta gjejë Hamasin, s’duhet t’i bombardojë civilët dhe infrastrukturën. Ne nuk jemi kafshë, nuk jemi në kopsht zoologjik, jemi njerëz”, ka shtuar ai.
Qe dy ditë Izraeli ka urdhëruar evakuimin e qytetarëve nga Gaza veriore në drejtim të jugut. Afati i fundit ka përfunduar dhe tashmë Izraeli ka paralajmëruar se do të nisë ofensivën e madhe. Të shtunën, gjatë ikjes të paktën 70 persona, në mesin e tyre gra e fëmijë, kanë vdekur kur kolona me automjete është bombarduar në Gaza. Autoritetet palestineze kanë thënë se në mesin e të vdekurve ka fëmijë dy-vjeçar.
Lufta në Izrael shpërtheu një javë më parë, pas sulmeve të befasishme nga grupi militant Hamas. Izraeli nisi menjëherë hakmarrjen me sulme të pandërprera.
Mijëra njerëz kanë vdekur në qytetet e Izraelit dhe në Gaza.