Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke e quajtur administratë që drejtohet nga një “referent kontabiliteti”, duke aluduar në ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe nga një administrator, duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti.
Duke folur në Pressing të T7, Limaj ka thënë se përkundër se punëtorët e administratës së qeverisë, kanë shkuar në punë, ata nuk kanë punuar sepse eprorët e tyre nuk i kanë ngarkuar me detyra.
“Praktikisht Kosova nuk po qeveriset, po administrohet nga një referent kontabiliteti dhe një administrator dhe një administrator, këtë rasti kryeministri, i cili po e administron Kosovën. Punëtorët e administratës kanë shkuar cdo ditë në punë, por s’kanë punuar sepse nuk u është dhënë punë, sepse Kosova është në administrim”, ka deklaruar Limaj.
Limaj ka thënë se qeveria i ka tejkaluar negativisht parashikimet e tij.
“Kjo qeveri i ka tejlakuar parashikimet e mia në kuptimin negativ, s’është që kam pritur shumë, por s’ma ka marrë mendja bash që në këtë nivel kanë me shku gjërat. S’kam menduar se një qeveri me 50% s’do të krijojë një ekip profesional, kombëtar, politik me përvojë për ta udhëhequr”, ka thënë tutje ai.
Limaj e ka kritikuar ashpër qeverinë për mungesë investimet e projektesh, duke thënë se po e mbyll vitin buxhetor me 700 milionë euro suficit.
“Kosova, ose qeveria e Kosovës është e vetmja në Evropë, që po e mbyllë vitin buxhetor me asnjë investim kapital ose me kapital të paprekur. Mbi suficit është, me 700 milionë euro. Kjo po ndodh në një vend me probleme ekonomike dhe të varfër”, ka thënë ai.
Limaj ka thënë se qeveria është treguar e paaftë që ta realizojë të paktën një investim serioz në Kosovë.