Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se pasojat e grevës në arsim po i bartin fëmijët e shkollave publike, dhe janë mbi 580 mijë orë të humbura si pasojë e kësaj greve nga SBASHK-u.
Nagavci ka thënë se kjo qeveri ka punuar shumë për të përmirësuar shumë probleme me të cilat deri më tani janë përballë mësimdhënësit.
Ajo ka përmendur ndarjen e buxhetit për të gjithë mësimdhënësit edhe pse sipas saj mbi një mijë prej tyre janë tepricë në sistemin arsimorë të Kosovës.
“Ne nuk kemi ardhur në pushtet me premtime për rritje të pagave. Të tjerët kanë ardhur me këso premtime. Ka qenë vullnet i ministrit Sveçla që Ligjin e Pagave ta sjellë në Kuvend qysh në prill të këtij viti. E mira është që tashmë Ligji i Pagave është gati”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.
Ministrja e Arsimit thotë se ajo është drejtuese e sektorit të Arsimit dhe për këtë arsye është takuar me Jasharajn disa herë.
“Ndërsa kryeministri Kurti është takuar disa herë me kryetarin e BSPK-së për shkak të pozitave që kanë”.
Nagavci thotë se me Ligjin e Pagave do të bëhet rregullimi i rritjes së pagave dhe nuk do të ketë më kërkesa të paarsyeshme për rritje të pagave.
Greva në arsim ka filluar që nga 25 gushti me kërkesë të ndarjes së 100 eurove për punëtorët deri në fuqizimin e Ligjit për Paga.