Nuk këndellet Ballkani, ndalet në udhëtim te Ferizaj

Nuk këndellet Ballkani, ndalet në udhëtim te Ferizaj

Ferizaj dhe Ballkani kanë luajtur baras 1-1 në kuadër të xhiros së 16-të në Albi Mall Superligë.

Te Ballkani në këtë takim debutoi trajneri i ri Orges Shehi i cili e nisi aventurën në Kosovë me një barazim.

Të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët, kur në minutën e 24-të Walid Hamidi realizoi pas asistimit na Adetunji për 0-1.

Ferizaj krijoi disa raste të mira shënimi, por që nuk e gjeti golin e barazimit në pjesën e parë e cila u mbyll me epërsinë minimale të mysafirëve.

Vendasit në pjesën e dytë u treguan edhe më agresivë në repartin ofensivë duke krijuar disa raste të mira shënimi.

Betim Haxhimusa, Albion Kurtaj e Fatjon Jusufi rrezikuan, por Enea Koliçi ishte në top formë.

Por në minutën e 84-të erdhi goli i barazimit nga vendasit. Qlirim Avdulli asistoi për mrekulli te Almen Abdul nga gjuajtja e lirë dhe sulmuesi irlandez barazoi shifrat në 1-1.

Me këtë pikë të fituar Ferizaj del në pozitën e tetë në tabelë me 17 pikë, derisa Ballkani është e treta me 27 sosh.

Në xhiron e ardhshme Ferizaj takohet në udhëtim me Dukagjinin, derisa Ballkani para tifozëve të vet pret Llapin.

Related Articles