Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot sërish nga ora 14:00, ku në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje, është certifikimi i Nismës Socialdemokrate për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, raporton Gazeta “Enigma”.
“Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për certifikim të subjektit politike “NISMA SOCIALDEMOKRATE”, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025”, thuhet në njoftimin e KQZ-së për takimin e sotëm.
Gjatë së martës, partia që udhëhiqet nga Fatmir Limaj nuk arriti të certifikohet pasiqë i mungoi vetëm lista e nënshkrimeve.
“Sipas njoftimit nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, ky subjekt politik i ka përmbushur të gjitha kriteret tjera, përveç listës së nënshkrimeve. Pas plotësimit të listës së nënshkrimeve, subjekti politik do t’i nënshtrohet certifikimit nga KQZ. Subjektit politik, i është dhënë afat për plotësim të listës së nënshkrimeve deri 3 dhjetor 2025, në orën 12:00”, thanë dje nga KQZ.
22 subjekte politike u certifikuan një ditë më parë, ndërsa, Lista Serbe jo. Ky zhvillim nxiti reagime të shumta, përfshirë atë nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
