Ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, i dyshuar për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj, në fjalën e tij para gjykatës tha se ky rast është i montuar kundër tij dhe familjes se tij.
“Rrethanat e këtij rasti konsideroj se janë te montuara kundër meje dhe familjes time”, tha Lushtaku.
Ai tha se duke i dëgjuar fjalët e prokurorisë e çudit fakti se si polici po behet viktimë nga prokuroria.
“Me sa unë e di i kanë edhe dy mjete të tjera ose tri, nëse e sheh që po rrezikohet prej masës ose prej dikujt, e fundit është mundësia e përdorimit të armës, nga policet e tjerë e kam parë që kanë përdorë sprej, çka kish ndodhë nëse edhe ata të gjithë i kishin nxjerrë revolet dhe na kishin drejtu neve, kur është nxjerrë revolja ne jemi tut që po vrahemi, masi që ka gjujt polici me revole, secili veprim ka qenë i ndikuar nga frika e te shtënave, dhe për me ja hjeke revolen mos me vra dikon”, ka thënë Lushtaku në gjykatë.
Ai ka shtuar se askush nuk ka nevoje të ketë frik prej tyre, as policia dhe as prokuroria.
Prokuroria: Lushtaku ia kishte dërguar Bekim Jasharit armën e njërit polic
Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është duke u mbajtur seanca e paraburgimit ndaj ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe të dyshuarve tjerë për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka elaboruar kërkesën e paraburgimit ku ka thëne se ka kërkuar këtë masë për shkak se sipas saj, të njëjtit së bashku kanë kryer veprën penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas prokurorisë pas përleshjes që familja Lushtaku kishte pasur me zyrtarët policor, Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetari i Skenderajt, ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, ish-kryetarit të komunës Bekim Jasharit e pastaj ky i fundit e kishte dorëzuar në Polici.
Prokuroria ka thënë se Nuredin Lushtaku kishte shkuar me dy vëllezërit e tij pasi i kishte thirrur djali i tij pas një dënimi që i kishin shqiptuar zyrtarët policorë.
Prezent në seancë janë avokatët e të dyshuarit për Nuredin Lushtaku, Artan Qerkini dhe Shyqri Syla, avokat Agron Hoti për të dyshuarin Faton Lushtakun, si dhe avokat Haxhi Millaku për të dyshuarin Arif Lushtakun.
Seanca është duke vazhduar.