Anëtari i PSD-së, Nol Nushi, ka folur për arratisjen dhe vrasjen e Faton Hajrizit, ku tha se ky rast, në një situatë tjetër do të ishte një rast që ndodh ku arratiset dikush, ndodhë një vrasje dhe më pas i arratisuri vritet.
Por, sipas tij, për shkak të raportit tashmë shumë të tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, raste të tilla fillojnë të instrumentalizohen.
“Në këtë rast po instrumentalizon Serbia që në raportin me Kosovën, edhe ajo e ka të nevojshëm për ta mbajtur gjallë me tension për shkak të natyrës së pushtetit që e ka atje, në mënyrë që ato ndjenjat nacionaliste të vlojnë për t’i shkuar në shërbim pushtetit atje”, tha Nushi në Rubikon.
Më tej, ai akuzoi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun se po bën konspiracione me rastin e Hajrizit, ku sipas tij, Haxhiu tha se Fatoni është vrarë në vendin ku 9 kilometra prej aty ka pasur të mbahet një protestë për litiumin.
“Këtu janë mbushur studiot me konspiracionistë, rrjetet sociale plot konspiracione, ministrja e Drejtësisë e bëri konspiracionin e radhës. Tha ka pasur të mbahet një protestë kundër litiumit 9 kilometra prej vendit ku ky është vrarë, e pse e vrajtën bash aty e që nuk e di çfarë niveli i ministres duhet të jesh për të filluar të përdorësh këso gjëra, pra të përfshihesh në një rast të cilin ajo e ka quajtur kriminal dhe të dalë me këso konsipracionesh”.
“Më shqetësuese është për familjen, pasi do të zvarritet për shkak të politikës. Në këtë rast Kosova s’ka të bëjë politikë pasi s’ka asgjë në dorë. Por, po mundohet të shfajësohet për arratisjen që ka ndodhur. Nëse e cilësojnë si qeveri si kriminel dhe të njëjtën vepër do ta bënte edhe ndaj Policisë së Kosovës, është dhjetë fish më serioze se si e lanë të ikte një kriminel të tillë”, tha ai.