Çdo ditë në vendin tonë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje, ku viktima janë zakonisht gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga familjarët e tyre. Por nuk janë të rralla edhe rastet kur nga dhuna pësojnë edhe vjehrrat të cilat kanë probleme me nuse.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në fshatin Lubinje e Poshtme në Prizren, ku një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht vjehrrën e saj.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 64-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, pasi kishte marrë lëndime në kokë si pasojë e goditjeve me një shkop druri.
Njësitë policore janë njoftuar lidhur me rastin dhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë marrë dëshminë e viktimës.
Ndërkohë e dyshuara është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’ dhe 41-vjeçarja është dërguar në mbajtje.