Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka njoftuar se nxënësja, Era Syla, ka shënuar një sukses tjetër në garat ndërkombëtare të matematikës.
Në Olimpiadën e 10-të për Matematikë për vajza – EGMO 2021, ekipi që ka përfaqësuar Kosovën ka fituar një medalje të argjendtë.
Sipas njoftimit nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, kjo medalje në një olimpiadë kaq prestigjioze për nxënësit të nivelit parauniversitar është një sukses i jashtëzakonshëm.
“EGMO është gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e evropës dhe shumica e vendeve jashtë Evropës marrin pjesë në cilësinë e mysafirëve, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës. EGMO është kampionati evropian i matematikës për nxënëset e shkollave të mesme. Prandaj, arritja e Erës është vërtet e jashtëzakonshme.” thuhet në njoftimin e tyre.
Kujtojmë se këtë vit nxënësja Era Syla, falë edhe sukseseve në olimpiada ndërkombëtare të matematikës, është pranuar për të studiuar matematikë në njërin ndër universitetet më të mira të botës, në MIT – Massachusetts Institute of Technology, në SHBA.