Oda e Afarizimit ka kërkuar nga kryeministri i vendi, Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që në pamundësi të përkrahjes së punëtorëve dhe bizneseve, mos të vazhdohet ndalimi i të drejtës së punës së mijëra punëtorëve dhe bizneseve që po pësojnë humbje të mëdha, por që të respektohen masat për mbrojtje nga pandemia.
OAK rithekson që çdo vendim për mbyllje duhet të paraprihet me përkrahje financiare, në të kundërt do të ketë humbje edhe më të mëdha të vendeve të punës, jo nga dëshira por nga detyrimi.
“Edhe ashtu Kosova po vuan nga papunësia dhe emigrimi dhe është vendi me mbi 70 përqind të qytetarëve në moshë pune që janë të papunë, andaj, hudhja në rrugë me vendime të shpejta pa përkrahje financiare është shkelje e Kushtetutës dhe të drejtës elementare për punë dhe jetesë.
“Bizneset në përgjithësi, e veçanërisht sektori i Horeca-së, me rastin e lirimit të masave kanë bërë furnizimet e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë së tyre ekonomike, andaj OAK ka kërkuar që masat shtrënguese të jenë graduale, meqenëse bizneset dhe punëtorët nuk janë të gatshme të përballojnë të vetme tërë këtë situatë” thuhet në kumtesën për media.
Mes tjerash OAK kërkon që si masë për vaksinim të domosdosshem të vendosen rregulla, në mënyrë që nga 1 tetori të mos shërbehen personat që nuk vaksinohen, qoftë në institucione publike apo në sektorin privat pasi sipas tyre tani ka vaksina të mjaftueshme.