O’Brien: Liderët e Ballkanit të bëjnë më shumë për të çuar përpara rajonin

O’Brien: Liderët e Ballkanit të bëjnë më shumë për të çuar përpara rajonin

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë të enjten se ndërtimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimit kërkon kohë, dhe liderët e rajonit duhet të pranojnë që duhet të bëjnë më shumë për të çuar përpara rajonin.

Ai i ka bërë këto deklarata në Fondin Gjerman Marshall, në adresimin e tij të parë të madh prej kur e ka marrë pozitën e mbikëqyrësit të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Evropën dhe Euroazinë.

I pyetur nëse Perëndimi duhet të zgjedhë në mes të reformës dhe stabilitetit për rajonin e Ballkanit, dhe nëse ekziston një balancë në këtë drejtim, ai ka thënë se me proceset e shumta në këto vende duhet të punohet në faza të ndryshme.

I pyetur për zgjedhjet e fundit në Serbi, të cilat janë kritikuar prej faktorit ndërkombëtar, ai ka thënë se “sfida është se kush do të mund të premtojë rezultat për njerëzit në Serbi?”

Partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka fituar 46.72 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale, të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar.

Duke folur në këtë temë, ai ka përmendur se Serbia është duke pasur performancë të mirë ekonomike në kohën e fundit dhe kjo, sipas tij, nënkupton se ky vend do të ketë rritje ekonomike dhe do të tërheqë investime të reja në Serbi.

“Nëse dëshirojmë që edhe shtetet tjera t’i kenë mundësitë e njëjta, do të duhet të inkurajomë reforma, qoftë edhe me rrezikut e jostabilitetit”, ka thënë ai.

“SHBA-ja do t’i ndihmojë Ukrainës për të fituar”

Përgjatë adresimit të tij, O’Brien është fokusuar në luftën në Ukrainë, Ballkanin Perëndimor dhe çështje tjera me rëndësi madhore, sikurse avancimi i teknologjisë, migrimi dhe klima.

“Sfida jonë është këtë vit është të dëshmojnë që qeveritë e arsyeshme mund të japin rezultate”, ka thënë zyrtari amerikan, duke shtuar se në të kundërtën u hapet mundësia të tjerëve për të përhapur “slogane të rreme”.

Duke folur për pushtimin rus në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022, ai ka thënë se beson që Ukraina do të jetë në pozicion më të mirë deri në fund të 2024 dhe që SHBA-ja do t’i ndihmojë këtij vendi për të fituar.

Related Articles