O’Brien: Presim nga qeveria e re në Serbi të respektojë marrëveshjet me Kosovën

O’Brien: Presim nga qeveria e re në Serbi të respektojë marrëveshjet me Kosovën

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien pret që qeveria e re e Serbisë të respektojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Kosovën në të kaluarën.

O’Brien thekson se e ardhmja e rajonit është futja e dy vendeve në tregun e përbashkët europian dhe anëtarësimi në BE.

Ai tha për Zërin e Amerikës, se Shtetet e Bashkuara do të prëcjellin me vëmendje mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe shprehu besimin se ato do të jenë të lira dhe të drejta.

”Populli serb mund të votojë për kë të dojë. Ajo që ne presim nga qeveria është që t’u përmbahet marrëveshjeve që ka arritur sa i përket Kosovës”.

Zyrtari i lartë amerikan shtoi se gjatë muajve të fundit është vërejtur përparim në disa nga çështjet më të diskutueshme midis dy vendeve.

”Disa nga mosmarrëveshjet kyçe kanë nisur të trajtohen si targat, doganat, formularët, e të tjerë. Kemi nevojë që kjo të vazhdojë me ardhjen e një qeverie të re. Duket të shohim përparim në të ardhmen”.

Ai potencoi se e ardhmja e rajonit varet nga marrëdhëniet e ngushta me tregun e përbashkët evropian dhe anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE, një process që siç tha ai mund të kërkojë disa vite.

”Në mënyrë që të bëhen pjesë e tregut të përbashkët evropian, palët duhet të trajtojnë dallimet dhe të pranojnë kufijtë e tyre, pastaj të pajtohen të punojnë së bashku si pjesë e kësaj ndërmarrjeje më të gjerë”.

Sipas tij, kjo është mënyra se si BE-ja ka funksionuar që nga fillimet e saj dhe se kjo metodë ka dhënë rezultate për shumë vende fqinje që kanë pasur marrëdhënie të tensionuara ndër vite.

Ulja e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe është një nga hapat e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve thotë zoti O’Brien.

”Asnjëra pale nuk ka arsye për të nxitur tensione atje. Ajo zonë duhet të qëndrojë e qetë. Qytetarët serbë që jetojnë në atë rajon duhen mirëpritur në institucionet publike. Kjo mendoj unë, do t’i mbajë tensionet ulur”, tha ai.

Tensionet Kosovë-Serbi shënuan pikën më të lartë në fund të shtatorit, pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie dhe tre prej autorëve të sulmit.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë tha se palët i pret shumë punë për të ecur përpara drejt normalizimit në rrugën që janë pajtuar marsin e kalur në Ohër.

Related Articles