Oda e Afarizmit të Kosovës, kërkon nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare.
Në një reagim thuhet se praktika e deritanishme për pushimet po e dëmton zhvillimin ekonomik.
“Praktika e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit ‘kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës’, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin jo vetëm në aspektin financiar por edhe në aspektin e reputacionit ndërkombëtar, sepse asnjë vend tjetër nuk e zëvendëson pushimin në një datë tjetër. Rastet sikur po ndodhin aktualisht, që pushimi i 1 Majit (ditë e shtunë) dhe Krishtlindjet ortodokse (ditë e diele), të zëvendësohen në ditën e hënë dhe të martë janë raste të palogjikshme dhe po e dëmtojnë ekonominë dhe buxhetin e shtetit”, thuhet tutje në reagim.
OAK kërkon që ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila bie festa dhe të mos zëvendësohen me ditët vijuese.
Gjithashtu, OAK kërkon që të festohen por të mos jenë ditë pushimi: 9 prilli – Dita e Kushtetutës dhe 9 maji – Dita e Evropës dhe festat për nder të komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin.