Organizatat jo-qeveritare IKD, FOL dhe INPO, i kanë bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës sa më parë të shpallë konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit.
Në këtë thirrje thuhet se që dy vite Prokurori i Shtetit funksionon si ushtures detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas OJQ-ve, nevoja për për të pasur Kryeprokuror të Shtetit nuk përjashton nevojën për një proces transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Më 17 tetor 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për Kryeprokuror të Shtetit, duke e kthyer këtë proces në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Fatkeqësisht, kur po bëhen pesë (5) muaj nga nxjerrja e këtij njoftimi nga Presidentja e Republikës së Kosovës, KPK ende nuk ka vepruar në drejtim të zhvillimit të një procesi meritor dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprouror të Shtetit. Veprimi i vetëm i tyre ka qenë ripropozimi, pa proces të ri konkurues, i emrit të njejtë për dekretim si Kryeprokuror të Shtetit”, thuhet gjithashtu në thirrjen e lëshuar.
“Vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës konfirmoi gjetjet e kualicionit të OJQ-ve që monitoruan procesin e përzgjedhjes së kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit. Sipas koalicionit të OJQ-ve, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka siguruar meritokraci, objektivitet dhe se kandidatët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë, çka sipas koalicionit ky proces është shoqëruar me shkelje të shumta të procedurave”.
“Ndaj këtij procesi, kishte reaguar Ambasada Amerikane, ajo Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces. Duhet rikujtuar se integriteti i këtij procesi ishte cenuar qysh në fillim, pasi ishin tërhequr edhe nga monitorimi Ambasada Britanike, e cila ishte injoruar për dy muaj nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit”.
“Për më tepër edhe Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2022 ka theksuar zhgënjimin e ambasadave dhe shoqërisë civile për mungesën e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritës në procesin e zhvilluar nga KPK”.