OKB paralajmëron krizë globale ushqimore nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet

OKB paralajmëron krizë globale ushqimore nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se bllokimi i vazhdueshëm i Ngushticës së Hormuzit mund të shkaktojë një krizë të madhe ushqimore në botë brenda pak javësh.

Sipas OKB-së, ndërprerja e transportit të plehrave kimike përmes Hormuzit rrezikon të çojë miliona njerëz drejt urisë, sidomos në Afrikë dhe Azi.

Kreu i grupit të posaçëm të OKB-së për këtë çështje, Jorge Moreira da Silva, deklaroi se bota ka vetëm “pak javë kohë” për të shmangur një katastrofë humanitare.

“Rreth 45 milionë njerëz të tjerë mund të përballen me uri nëse kriza vazhdon”, tha ai për AFP.

Irani ka bllokuar prej muajsh Ngushticën e Hormuzit, si reagim ndaj luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli më 28 shkurt. Përmes kësaj rruge kalon rreth një e treta e plehrave kimike që tregtohen në botë.

Plehrat dhe lëndët e para që kalojnë nga Hormuzi furnizojnë kryesisht Brazilin, Kinën, Indinë dhe vendet afrikane.

OKB-ja po përpiqet të krijojë një mekanizëm të posaçëm që do të lejojë kalimin e anijeve me plehra kimike dhe materiale bazë si amoniaku, squfuri dhe ureja.

Sipas zyrtarëve të OKB-së, mjafton kalimi i pesë anijeve në ditë për të shmangur krizën në sektorin bujqësor.

Megjithatë, negociatat me SHBA-në, Iranin dhe vendet e Gjirit ende nuk kanë dhënë rezultat.

OKB paralajmëron se rritja e çmimit të plehrave kimike do të sjellë ulje të prodhimit bujqësor dhe më pas rritje të fortë të çmimeve të ushqimeve në gjithë botën.

Related Articles