Një operacion i madh kundër kanabisit është zhvilluar në Shqipëri gjatë 72 orëve të fundit, ku morën pjesë 7 mijë zyrtarë policorë, 90 dronë dhe u asgjësuan 24 mijë rrënjë kanabis sativa.
Operacioni u zhvillua në malësinë e Krujës, në Shkodër, Lezhë dhe Tropojë, kryesisht në terrene të vështira malore dhe fshatra të thella
Në territorin e fshatit Arst të Pukës, policia sekuestroi 29 kilogramë kanabis në formën e boçeve ndërsa u shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e fshatit Arst, për shpërdorim detyre.
Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të operacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15 mijë e 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz.
Në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 4 mijë e 630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.
Në qarkun Lezhë, si rezultat i fazës së 33-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u asgjësuan në total 4 mijë bimë narkotike kanabis sativa që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin.
Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 7-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme e Tropojës.
Ky aksion policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë Shqipërinë, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e policisë.