Amendamenti 85-milionë eurosh i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për pagat në sektorin publik po shihet si i nevojshëm për t’ia lehtësuar punën Qeverisë. Porse as opozita nuk po e sheh si të mundshme miratimin e tij, për shkak të mungesës së vullnetit nga pushteti
Vështirë të realizueshme janë duke u konsideruar iniciativat e opozitës në Kuvendin e Kosovës karshi pushtetit që ka shumicën e votave.
Një prej këtyre iniciativave është amendamenti 85-milionësh për pagat në sektorin publik, i propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Përkrahja që ky amendament ka marrë nga partitë e tjera opozitare në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere doli të ishte e pamjaftueshme për ta proceduar atë më tutje.
“Shumica parlamentare edhe në Komision vërehet se ka një kundërshti në këtë relacion. Arsyet nuk janë dhënë, janë kryesisht ato se derisa nuk ka ligj, nuk e miratojmë”, është shprehur Ferat Shala, anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Shala e ka vlerësuar si të nevojshme këtë iniciativë, me qëllim të mbushjes së vakumit të krijuar nga Qeveria, e cila ende nuk e ka nxjerrë Ligjin për Pagat në sektorin publik para Kuvendit.
“Amendamenti është i mirë për faktin që jep mundësi që ta plotësojë vakumin e sjelljes së ligjit të pagave në Kuvend dhe do të ishte hap i qëlluar po qe se Qeveria synon vërtet që ta sjellë ligjin e pagave. Miratimi i këtij amendamenti do të jepte hapësirë legale kohore që ligji brenda tremujorit të parë, nëse Qeveria e sjell, ta ketë të miratuar dhe të përgatitur buxhetin. Kjo është një ide e shkëlqyeshme, por që parimisht mosmiratimi i këtij amendamenti tregon se Qeveria nuk është e interesuar t’i hyjë reformës për ligjin për pagat”, ka theksuar ai.
Amendamenti i AAK-së është cilësuar si i nevojshëm edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Me këtë vonesë të procedimit në Kuvend të ligjit për paga në sektorin publik dhe mosinteresimin e Qeverisë për të adresuar shqetësimet e sindikatave, deputetët e opozitës me të drejtë marrin nisma për ndarje të buxhetit për paga”, ka thënë Avdullah Hoti, deputet i LDK-së.
PDK-ja dhe LDK-ja kanë njoftuar se së shpejti do të dalin me një qëndrim nëse do ta përkrahin apo jo amendamentin e AAK-së për pagat në sektorin publik, i cili pritet që të propozohet përsëri në seancën e 22 dhjetorit, kur votohet në lexim të dytë Ligji për Buxhetin e vitit 2022.
Por, sipas Ferat Shalës, të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita nuk po gjejnë miratim, për shkak të shumicës parlamentare.
“Nëse e shohim nga fuqia teknike dhe mekanike, asnjë nga amendamentet substanciale të opozitës, pothuajse nuk kanë kaluar, edhe ato që kanë kaluar kanë kaluar me reduktime”, ka theksuar Shala.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka propozuar një amendament, i cili parash që në Ligjin për Buxhetin e vitit 2022 të rritet kategoria “Mallra dhe Shërbime” për 85 milionë euro, në mënyrë që të zbatohet ligji i pagave prej vitit 2022.
Tahiri ka propozuar po ashtu dy alternativa, atë për rritje të të hyrave buxhetore për 85 milionë euro ose uljen e kategorive të tjera të shpenzimeve për këtë vlerë. AAK-ja e ka propozuar këtë amendament nën justifikimin e rritjes së çmimeve në vend./Gazeta “Enigma”/