Vrasje e mbrëmshme e gruas shtatzënë para objektit të Gjinekologjisë në QKUK, ka nxitur reagime edhe nga ligjvënësit opozitarë që janë pjesë e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi. Ata kërkuan dorëheqje morale, pasi që vrasja, sipas tyre ka ndodhur brenda institucionit publik të QKUK-së.
Armend Zemaj i LDK-së dhe Bekim Haxhiu i PDK-së i janë drejtuar u.d. të ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha dhe u.d. të drejtoreshës së ShSKUKsë, Pranvera Zejnullahu me kërkesën për dorëheqje morale.
Gexha e Zejnullahu po marrin pjesë në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i cili në rend dite ka shqyrtimin e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2023.
Gexha e Zejnullahu kanë paraqitur planifikimet për investime, sipas buxhetit që këtë vit, është për 15 % më i lartë.
Gexha tha se ky buxhet është bërë duke u bazuar në studimin e fizibilitetit dhe strategjisë për resurse humane. “Ky buxhet parasheh përmirësimin e shërbimeve aktuale dhe hapjen e shërbimeve të reja. Do të ketë investime në infrastrukturë, rritje të numrit të inspektorëve”, deklaroi mes tjerash Gexha.
Ndërsa Pranvera Zejnullahu U.D. e drejtorit të SHSKUK-së ka thënë se do të vazhdohen disa projekte për avancimin e shërbimeve jo vetëm në QKUK, por edhe në spitalet rajonale.
“Në vitin 2023 do të jenë 5 rezonanca në gjithë vendin por problemi është edhe te stafi. Jemi në diskutime edhe për mundësinë e shërbimeve onkologjike në komuna, por shërbimet e decentralizuara do të bëhen varësisht nga stafi”, ka thënë Zejnullahu.
Deputetët, anëtarë të komisionit kanë theksuar problemet me të cilat ballafaqohet ky sektorë. Theks të veçantë i është dhënë ikjes së mjekëve, mungesës së barnave dhe investimeve të tjera nga të cilat preken direkt qytetarët. Buxheti për shëndetësi për vitin 2023 është 296 milion euro.