Orav: BE nuk i tregon Kosovës kë të zgjedhë për president

Orav: BE nuk i tregon Kosovës kë të zgjedhë për president

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, në takimin e fundit me gazetarët kosovarë në përmbyllje të mandatit të tij ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund t’i tregojë Kosovës së kë do ta zgjedhë president.

“Zgjedhja e presidentes apo presidentit është zgjedhje e juaj, sigurisht e parlamentarëve tuaj të cilët sipas Kushtetutës duhet të votojnë, të propozojnë kandidatë. Nëse askush nuk propozon kandidat, për ne si vëzhgues ndërkombëtarë nuk di çfarë të them. Nuk e di cilat janë pritjet nga ne në këtë rast, por mendoj se Kosova është mjaft e pjekur. Ne nuk kemi qasje që t’ju tregojmë se si ta zgjidhni presidentin apo kë ta zgjidhni”, tha Orav.

Ai tha se çfarëdo vendimi që merr Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes, Bashkimi Evropian do të jetë i kënaqur me atë vendim.

Duke folur për procesin e integrimit në BE, Orav ka thënë se Kosova dhe Serbia mund të ecin bashkë drejt këtij qëllimi, porse sipas tij dialogu në Bruksel është pjesë kyçe e këtij rrugëtimi.

Ai ka thënë se lufta në Ukrainë ka dhënë një moment të ri të zgjerimit të BE-së dhe se kjo ka bërë që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara.

“Mendoj se një pjesë shumë e rëndësishme integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është dialogu dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë. Normalizimi mes dy vendeve është shumë i nevojshëm”, shtoi ai./rtk

Related Articles