Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav, i cili ia ka dorëzuar Raportin për Kosovën 2025 të Komisionit Evropian.
Në takimit u diskutua mbi gjetjet e raportit, i cili vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, por njëkohësisht evidenton edhe sfidat që mbeten për t’u adresuar.
“Presidentja Osmani theksoi se këto gjetje duhet të trajtohen me prioritet, me qëllim që Kosova të vazhdojë me hapa të vendosur dhe në ballë të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo falënderoi Ambasadorin Orav për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të popullit të Kosovës për integrim në familjen evropiane. Presidentja theksoi se ky proces kontribuon jo vetëm në prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por edhe në paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon e më gjerë”, thuhet në njoftim.
