Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë se mund të mbështesë kryeministrin në largim holandez, Mark Rutte për postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s nëse plotësohen disa kushte.
Rutte duhet të kërkojë falje për “vërejtjet fyese” që bëri për Hungarinë, tha Orban për portalin e financuar nga qeveria hungareze, Mandiner.
Ai gjithashtu duhet të pajtohet që “Hungaria nuk duhet të marrë pjesë në asnjë mision ushtarak të NATO-s të drejtuar kundër Rusisë në Ukrainë”. Hungaria është anëtare e NATO-s që nga viti 1999.
Ndryshe, mandati i Sekretarit të Përgjithshëm aktual të NATO-s, Jens Stoltenberg, mbaron në muajin tetor. Për të zgjedhur një pasardhës kërkohet konsensusi i Aleancës së 32 vendeve.
Aktualisht, të gjitha vendet anëtare, përveç Rumanisë dhe Hungarisë, mbështesin Rutte.
Rumania ka kandidatin e saj për postin e lartë të NATO-s, presidentin Klaus Iohannis.