Profesori universitar, Bujar Dugolli, ka pranuar se nuk e ka shikuar punën e bërë në bashkëpunimin me kolegun Ardian Kastrati, në punimin shkencor që nga Këshilli i Etikës së Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” u vendos që është plagjiaturë.
Në qershor, Dugolli dhe Kastrati ishin ndëshkuar me mohim të përfshirjes në mentorim në ciklin e studimeve master e doktoraturë për dy vjet.
Në mbledhjen e fundit të Senatit të UP-së, më 5 shtator, Dugolli, ka thënë se gabimi i tij është se “ka pasur besim për t’iu vënë emri në punimin e përbashkët”.
“Nëse unë kam bërë gabime, që kam pas besim me ma vendosë emrin, dhe pa dijeninë time është vendosur i pari, në rregull, dënomni, s’ka kurrfarë problemi, çfarëdo mase që ta parasheh universiteti. Nuk është problem!”, ka thënë ai në një insert të ORCA-s nga diskutimi në Senatin e UP-së për plagjiaturë.
Sipas Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, deklarata e Dugollit është “skandaloze”.
“Dugolli ka pranuar se ndonëse është autor i parë në punim nuk ka pasur dijeni për përmbajtjen e punimit”, ka thënë ORCA, duke shtuar se “kjo përbën mashtrim akademik ku personi në fjalë paraqet si punim të vetin diçka në të cilin nuk ka punuar fare”.
“Pavarësisht këtij deklarimi të hapur para senatorëve dhe menaxhmentit të UP-së, Senati nuk guxoi të merrte vendim meritor, t’i përjashtojë nga universiteti plagjiatorët siç ndodhë në çdo rast të ngjashëm në botë. Tendenca për relativizim të situatës aktuale nga disa dekanë që mbahen për intelektualë në shoqërinë tonë dhe që mbajnë ligjërata publike për etikën, krizën tonë shoqërore e politike apo për ligjshmërinë e jetës tonë publike ishte neveritëse deri në padurim, saqë monitoruesit e ORCA-s u detyruan ta lëshojnë monitorimin”, thuhet në reagimin e ORCA-s.
Pos Dugollit dhe Kastratit, me dënim të ngjashëm për plagjiaturë ishin ndëshkuar edhe disa profesorë të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në muajin gusht.