Shoqata e Kërkim-Shpëtimit ka njoftuar se sot ka ndodhur një aksident orteku në Brezovicë, në një zonë jashtë shtegut të rregulluar të skijimit.
Sipas njoftimit, orteku është iniciuar nga disa skitarë që po lëviznin jashtë pistave të sigurta, mirëpo fatmirësisht personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime.
Shoqata ka bërë të ditur se ekipet e Kërkim-Shpëtimit Malor të ShKShMK-së, më datë 18.01.2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës në zonën e Brezovicës, kanë evidentuar dy shtresa problematike.
“Teknikët e Kërkim-Shpëtimit Malor të ShKShMK, më datë 18.01.2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës, kanë evidentuar dy shtresa problematike në zonën e Brezovicës. Nga këto, më shqetësuesja është shtresa bazë mbi vegjetacion (Ground-based Persistent Weak Layer – Depth Hoar)”, thuhet në njoftim.
Sipas shoqatës, reshjet e fundit të borës të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja kanë ndikuar në krijimin e akumulimeve të shtresave të konsoliduara të borës, duke rritur peshën dhe presionin mbi shtresat e dobëta.
“Si pasojë e reshjeve të fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës, duke rritur peshën dhe presionin mbi këto shtresa të dobëta. Bazuar në vlerësimin aktual, kombinimi i këtyre faktorëve ka krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë”, thuhet më tej.
Në fund, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit Malor ka apeluar për kujdes maksimal gjatë skijimit dhe aktiviteteve bjeshkatare, veçanërisht në faqet veriore, duke theksuar se rreziku nuk përjashtohet as në orientime dhe pozita të tjera gjeografike.
“Ju lutemi: shmangni lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta, informohuni paraprakisht për kushtet e borës dhe motit, përdorni pajisje adekuate të sigurisë dhe mos veproni individualisht në terrene të rrezikshme”, përfundon njoftimi.
