Mediumi serb pro regjimit, “Novosti”, raportohet se pesë diplomatët evropian do t’i shkojnë me ultimatum në takim, presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Siç pretendohet, emisari evropian, amerikan, gjerman, francez dhe ai Italian, do të kërkojnë që Serbia të pranojë planin evropian për marrëveshjen finale, ose do të përballet me sanksione.
Por përveç sanksioneve, raportohet edhe për “lëvizje të vështira” nga fuqitë ndërkombëtare.
Vuçiq, sipas këtij raportimi është takuar me patriarkun Porifirije për ta informuar rreth këtyre zhvillimeve.
Takimi pritet të ndodhë pasdite dhe veç kësaj, në orën 17:00 është paralajmëruar edhe konferencë për media.
Në një prononcim të shkurtër për media, Lajçak pas takimit me Kurtin e vlerësoi si diskutim të vështirë, por të sinqertë.
Sipas tij, diskutimi i fokusua rreth propozimit për normalizimin e marrëdhënieve, që u propozua në shtator e pastaj në dhjetor, e që njihet si plani franko-gjerman.
“Të gjithë këto fuqi janë vendosur prapa kësaj inciative. Dhe natyrsht, qëllimi i këtij takimi me kryeminsitrin Albin Kurti ishte diskutimi i propozimit për normalizimin e marrëdhënieve që e kemi prezantuar në shtator e pastaj në dhjetor. Ne shpenzuam më shumë se dy orë me kryeministrin, që tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe shumë i hapur. Është shumë herët të thuhet ndonjë deklaratë dramatike” – tha ndër të tjera Lajçak pas takimit.
Tutje Lajçak duket të jetë ndarë jo aq mirë nga takimi me Kurtin pasi tha se ka pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë e ofruara nga propozimi franko-gjerman, që tash është edhe propozim i Brukselit. Në një fjali, Lajçak lë të nënkuptohet se po e kritikon kryeministrit kosovar, pasi deklaron se ka pritur më shumë mirëkuptim.
“Jemi në mes të misionit tonë, ne do të vazhdojmë për në Beograd. S’ka shumë çka mund të them. Sidoqoftë, çka mund të them në këtë pikë është që ne kemi pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë e ofruara nga ky propozim. Shpresoj që do të arrijmë aty te mirëkuptimi i plotë dhe shfrytëzimi i plotë i mundësive të këtij propozimi. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, vlerësoi ai.