Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Presidentin e Kenias, William Ruto, pas njohjes së Kosovës nga ky shtet afrikan.
Në një postim në platformën X, Presidentja Osmani e ka cilësuar këtë veprim si një akt të vërtetë miqësie që forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe bashkëpunimin për paqen dhe sigurinë. Ajo shprehu mirënjohjen e saj të thellë në emër të popullit të Kosovës dhe theksoi përkushtimin për vendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Gjatë bisedës, dy liderët diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha si tregtia, arsimi, turizmi dhe fusha të tjera me interes të ndërsjellë. Presidentja Osmani bëri të ditur se si Kosovë, janë të angazhuar për hapjen e misioneve diplomatike në të dyja shtetet, si një hap konkret drejt një partneriteti të fuqishëm dhe të qëndrueshëm.
Gjithashtu, ajo theksoi se mezi pret ta mirëpresë Presidentin Ruto në Kosovë dhe ta vizitojë Kenian në një të ardhme të afërt, duke nënvizuar se të dy liderët kanë diskutuar për këtë vizitë tashmë prej disa kohësh.
“Kenyia mund të llogarisë në Kosovën si një aleat dhe partner të vërtetë,” ka theksuar Presidentja Osmani, duke shënuar kështu hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.