Osmani dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari

Osmani dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për rastin e sulmit ndaj futbollistit 15-vjeçar, Belgin Jashari.

Ky i fundit u sulmua nga një person në ndeshjen SHF Arsenal – Fushë Kosova të grupmoshave U15.

Për këtë ngjarje të rëndë në futbollin kosovar, ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se ky është një akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm për shoqërinë tonë.

Reagimi i saj i plotë:

“Presidentja Osmani dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari: Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë

Reagimi i plotë i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani:

Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan!

Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë.

Çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë, pa dallim prejardhjeje apo identiteti.

Akte të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për t’i ndëshkuar të përfshirët në dhunë dhe fyerje.

Kosova është vend i lirë e demokratik. Dhuna dhe urrejtja nuk do të kenë vend në fushat tona të sportit, as në shoqërinë tonë. Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin kur cenon dinjitetin dhe sigurinë e të rinjve tanë.

Belgin, ti je pjesë e të tashmes dhe të ardhmes sonë! Kosova është krenare me ty!”, shkruhet në reagimin e Presidentes.

Related Articles