Osmani dhe Armannsson të përkushtuar për t’i thelluar raportet

Osmani dhe Armannsson të përkushtuar për t’i thelluar raportet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimeve me presidentin dhe kryeministren e Islandës, është pritur në takim edhe nga kryetari i Kuvendit të Islandës, Birgir Armannsson.

Në takim me kryetarin e Kuvendit, Armannsson, presidentja Osmani ka falënderuar Islandën për mbështetje ndaj Kosovës, duke potencuar rëndësinë që ajo të vazhdojë edhe më tej në arenën ndërkombëtare.

Në këtë frymë, presidentja ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellim të bashkëpunimit dypalësh përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke potencuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, në këtë kohë përcaktuese për Evropën.

Presidentja Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Armannsson kanë biseduar edhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndër-parlamentar.

Tutje, presidentja Osmani ka folur edhe mbi zhvillimet e fundit në Kosovë.

Presidentja ka thënë se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për sundim të ligjit dhe avancim të demokracisë, vlerësuar edhe në indekset e fundit ndërkombëtare, ku Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm.

Presidentja Osmani theksoi po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar për paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Kryetari i Kuvendit, Armannsson e falënderoi Presidenten Osmani për vizitën dhe theksoi se Islanda është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona. 

Related Articles