Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim homologen e saj sllovene, Natasha Pirc Musar.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, biseda mes tyre u fokusua në zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, shkruan Gazeta Enigma.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për angazhimin e trupave sllovene në kuadër të misionit të KFOR-it, duke vlerësuar lart kontributin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.
“Sllovenia mbetet një nga aleatët dhe miqtë tanë më të ngushtë. Diskutuam për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përkushtimin tonë për integrimin euroatlantik dhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. I shpreha mirënjohjen për kontributin e trupave sllovene në kuadër të KFOR-it, të cilët Presidentja Musar i vizitoi mbrëmë me rastin e festave të fundvitit”, thuhet në njoftim./GazetaEnigma/