Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shteteve të shumta anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesve të shoqërisë civile e medieve për dhunimet seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Osmani në fjalimin e saj e ka falënderuar Shqipërinë për nismën, si dhe për ftesën që të flas në emër të Republikës së Kosovës, duke i dhënë kështu zë mijëra të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë.
“Mirënjohëse edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar si bashkë-organizatorë të kësaj seance”, ka thënë ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin saj ka përmendur, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila doli publikisht të flasë për këtë çështje.
“Ajo ia kushtoi jetën drejtësisë dhe u shndërrua në zërin e mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, ka theksuar presidentja.
Osmani ka thënë se dhuna seksuale ishte një nga taktikat brutale të përdorura nga regjimi i Millosheviqit. Ajo tha se s’ka qenë e lehtë për ta, por të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kërkojnë drejtësi dhe duan që stigmatizimi i tyre të luftohet.
“Mungesa e drejtësisë dhe ndëshkimit të dhunuesve gjatë konfliktit ka krijuar pasoja afatgjata. Kjo e bën kërkimin e drejtësisë për të mbijetuarit jashtëzakonisht më sfiduese. Mungesa e përgjegjshmërisë dërgon një mesazh dëshpërues se veprime të tilla të neveritshme mund të kryhen pa u ndëshkuar. E përjetëson një kulturë të heshtjes, një ndjenjë hezitimi dhe frikë te të mbijetuarit që kërkojnë ndihmë dhe mbështetje. Dështimi që dhunuesit të mbahen përgjegjës, jo vetëm që lë plagët e hapura, por edhe minimizon besimin në shoqërinë pas luftës dhe institucionet”, ka thënë Osmani.