Presidentja tha se shpreson se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim për ta shpallur të konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe që vendi t’i themelojë shpejt institucionet e reja, pothuajse shtatë muaj pas zgjedhjeve të shkurtit.
Osmani tha se do ta caktojë mandatarin për kryeministër të vendit menjëherë, nëse vendimi i Kushtetueses është pozitiv – që në këtë rast i bie nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
“Menjëherë pas 30 shtatorit… me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituimit, po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit. E pastaj punët e tjera janë në duar të partive, kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, tha Osmani.
Vetëvendosje, e cila e ka të drejtën e mandatarit e para, e propozoi sërish Albin Kurtin për kryeministër në një takim të partisë në fundjavë.
Megjithatë, Vetëvendosje me 48 ulëse në Kuvend nuk e ka shumicën dhe do t’i duhej të arrijë marrëveshje për koalicion qeverisës për ta formuar Qeverinë në rast se gjykata e jep dritën jeshile pas 30 shtatorit.