Njohësi politik, Shqiprim Pula, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka gabuar kur e ka refuzuar në takim nënkryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetarin e Parlamentit, Glauk Konjufca, teksa i ftoi në takim partitë politike në vend.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Pula ka thënë se Osmani me këtë veprim nuk është bazuar në ligj.
Sipas tij, ligji e përcakton që ftesa t’u dërgohet partive politike dhe jo ekskluzivisht kryetarëve të tyre.
“Ka një pezëm që është shpërfaqur dje dhe sot nga disa akterë politikë, çështja ka të bëjë me refuzimin e pjesëmarrjes të Glauk Konjufcës si nënkryetar i Vetëvendosjes në takimin që ishte dje. Nëse shikohet dhe lexohet drejt dhe saktë gjuha e ligjit, në ligj thuhet se presidentja fton partitë politike për konsultim. Gjuha e ligjit nuk e përcakton ekskluzivisht kryetarin e partisë, por kur e ka dërguar ftesën dhe e ka përcaktuar që vetëm kryetari i partisë, në anën tjetër ka refuzuar nënkryetarin të marrë pjesë, këtu ka ndierë pezëm. Pra, gjuha e ligjit thotë partitë politike, nuk thotë kryetarët e partive dhe si rezultat i saj dje e sot e kemi krejt këtë pezëm”, ka deklaruar Pula.