Krerë të shtetit e përfaqësues të bizneseve janë mbledhur për të tretën ditë në Forumin e Biznesit në Kosovë. Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani tha se rrugëtimi i grave në biznes është duke u përballur me sfida të ndryshme, andaj edhe kërkoi që të krijohet një mjedis në mënyrë që grave të mos ju duhet që të zgjedhin mes punës dhe familjes.
E para e shtetit tha se angazhimi i grave në biznes do të ndikojë në rritjen më të madhe ekonomike.
“Po konfirmohet çdo ditë se janë vajzat dhe gratë përmes të cilave mund të arrihet potenciali ekonomik e të kapitalizohen në plotëni objektivat tona. Të dhënat po e bëjnë të qartë se angazhimi i grave ne biznes ndikon në rritjen më të madhe ekonomike. Duhet ta kuptojmë se përfshirja e barabartë s vajzave dhe e grave nuk është çështja më e drejtë për ta bërë, por edhe parakusht për përmirësimin e mirëqenies së përbashkët. Kur gratë përparojnë dhe janë aktive në shoqëri, vetë shoqëritë përparojnë. Unë konsideroj se po përjetojmë një botë vendimtare. Jam e bindur se çdo ditë e më shumë mundësitë e barabarta nuk do të jenë vetëm fjalë por parime bazë dhe udhëheqëse për çdo institucion”, theksoi Osmani.
Tutje shefja e shtetit tha se gratë janë burim i energjisë transformuese të shtetit dhe shoqërisë.
“Ky forum sot dhe aktivitetet tjera janë momente për të festuar arritjet dhe punën e grave dhe vajzave anë e mbanë Kosovës. Ky aktivitet sot dhe puna juaj e përditshme na sjellin një hapë më afër për krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës ku mundësitë janë të barabarta. Gratë janë shumë më shumë se kaq. Janë burim i një energjie transformuese për shtetin dhe shoqërinë tonë”, shtoi Osmani.