Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka paraqitur një kërkesë për masë të përkohshme në Gjykatën Kushtetuese, për pezullimin e afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë për media të martën, Osmani tha se qëllimi i kësaj mase është të parandalohet bllokada institucionale dhe funksionimi jashtë kornizës kushtetuese.
“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë të pafund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në mënyrë kundërkushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme,” deklaroi ajo.
Sipas saj, kjo kërkesë ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe parandalimin e një “dëmi të pariparueshëm”.
Përveç kësaj, Osmani bëri të ditur se ka dorëzuar edhe një kërkesë tjetër në Kushtetuese, për shqyrtimin e konfliktit të kompetencave kushtetuese, të cilat kanë lindur si pasojë e mungesës së konstituimit të Kuvendit.
“Rastin e kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues. Kërkesa është paraqitur për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës,” ka deklaruar Osmani.