Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka tendenca që masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme.
Në një konferencë të përbashkët me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, Osmani ka thënë se e ka kundërshtuar një qasje të tillë edhe në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Sipas saj, nëse ndodh diçka e tillë do të ketë vetëm efekt negativ, derisa theksoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e vendosura nga BE-ja për heqjen e këtyre masave që u vendosën si ndëshkim për tensionet në veri.
“Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja pse ato janë vendosur në fillim. E kam kundërshtuar një qasje të tillë edhe në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, sepse në fakt kjo logjikë sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje të dialogut do të ketë vetëm efekt negativ. Ajo që kanë kërkuar nga Kosova, pra që e quanin deeskalim, tashmë ka ndodhur. Nëse dikush mendon që të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat do të duhet hiqen sepse Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara”, ka thënë ajo.
E pyetur nëse masat do të hiqen me zgjedhjen e kryetarëve të rinj në veri, Osmani tha se ato masa është dashur të hiqen moti dhe në fakt të mos vendoseshin kurrë”.
“Kosova ka vepruar brenda territorit të saj, s’e ka pushtuar askënd, ska përdorur dhunë dhe se ka rrezikuar askënd që të meritonte masa të tilla të padrejta dhe joprofesionale”.
Osmani tha se konstruktivitetin Kosova e ka dëshmuar me qindra herë në raporton me marrëveshjen me Serbinë, ndërkaq Serbia po e bën të kundërtën dhe jo vetëm me retorikë, por edhe me shkrim.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.
Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.