Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me shoqatën e miqësisë Kosovë-Austri, të udhëhequr nga eurodeputeti Lukas Mandl, raporton Gazeta “Enigma”.
Siç bëhet e ditur përmes një njoftimi për media, përgjatë takimit, presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës në faza të ndryshme përgjatë historisë.
Osmani në takim ka theksuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar nga BE-ja që t`i përmbahet premtimit për kosovarët.
Më tej, Osmani ka shfaqur bindjen se Austria do të vazhdojë t`i qëndrojë në krah Kosovës edhe në procesin e integrimit evropian, sikurse edhe në atë të të integrimit euro-atlantik.
“Republika e Kosovës ka potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve, të cilët janë të shkolluar dhe të aftë për t`i dëshmuar vlerat e tyre sapo t`u jepet mundësia. Duhet të sigurojmë mobilitet dhe të ndërtojmë partneritet të fuqishëm”, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me Grupin e Miqësisë Kosovë-Austri.
“Diaspora jonë këtu ka rol qenësor për Republikën e Kosovës, shkaku i potencialit, dijes dhe ideve të reja që sjellin”, është shprehur Osmani.
Osmani ka takuar edhe një grup të grave të suksesshme në Austri, nën organizimin dhe me ftesë të Zonjës së Parë të Austrisë, Doris Schmidauer, ku morën pjesë edhe ministrja e Drejtësisë në qeverinë austriake, Alma Zadic, ish-raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Ulrike Lunacek, si dhe gra nga fusha e biznesit, akademia, politika e shoqëria civile. Në këtë takim u diskutuan sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen gratë në sektorin publik dhe privat, si dhe në shoqëri në përgjithësi. Osmani diskutoi rolin e grave në sjelljen e një ndryshimi të rëndësishëm politik dhe shprehu nevojën për investime në arsim dhe kujdes shëndetësor për të mundësuar dhe fuqizuar gratë që të jenë të barabarta në tregun e punës, si dhe nevojën për të krijuar më shumë vende pune për të rinjtë dhe gratë.