Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar rënien e profesor Latif Berishës si dhe Agim Hajrizit – bashkë me nënën e tij dhe Ilirin e vogël – të vrarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë në një nga ditët më vendimtare për Kosovën.
“Për ne që u rritëm në Mitrovicë, data e 24 marsit nuk është vetëm një datë përkujtimi. Është edhe kujtesa e forcës së jashtëzakonshme të familjes Hajrizi e familjes Berisha, por edhe e krenarisë që ky qytet i ka dhënë Kosovës burra e gra që nuk u përkulën kurrë”, shkroi Osmani në një postim.
“Në akademinë përkujtimore dhe në vizitat tek familjet e tyre, sot u përulëm me respekt para sakrificës së tyre, duke ripërtërirë zotimin se kujtimi për ta do të jetojë përherë në historinë dhe në ndërgjegjen e shtetit tonë. Zoti e bekoftë familjen Hajrizi, familjen Berisha dhe Republikën e Kosovës”, u shpreh e para e vendit.
