Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sulmin e 11 shtatorit, raporton Gaazeta “Enigma”.
Në 23-vjetorin e sulmeve tragjike të 11 shtatorit, Osmani ka deklaruar se tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist.
Përmes një postim në Facebook, Osmani tutje ka deklaruar se në këtë ditë, Kosova qëndron përkrah popullit amerikan, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë.
“11 Shtatori – ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur. Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike. Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist”, ka shkruar Osmani.
Tutje ajo ka shtuar se “imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive. Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë”. /Gazeta Enigma/