Osmani: Lajçak mirëpriti shqetësimet e mia për draftin e Asociacionit, tha se shumica mund të akomodohen

Osmani: Lajçak mirëpriti shqetësimet e mia për draftin e Asociacionit, tha se shumica mund të akomodohen

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në takimin me të dërguarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak nuk ka folur për vendimin e  Bankës Qendrore të Kosovës për largimin e dinarit serb nga tregu.

Por një çështje të të cilën ata kanë folur është drafti i statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Nga prezantimi i draftit unë kam prezantuar disa prej shqetësimeve me zyrtarë të QUINT-it dhe këto I kemi diskutuar edhe dje me Lajçakun. Ai i ka mirëpritur ato dhe ka thënë se shumica prej tyre mund të akomodohen”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka vazhduar se institucioni që do të vendosë në fund për këtë çështje është Gjykata Kushtetuese.

“Jam e bindur se kurdo që ky draft shkon në Gjykatën Kushtetuese, secili do të kemi mundësi të tregojmë argumentet tona për dispozitat që mund të krijojnë problem. Për detajet teknike se si e në çfarë mënyre do të vendoset plani i sekuencimit, jam e bindur se do të determinohen në takimet e ardhshme në dialog. Nuk ka mbetur shumë kohë.

Ndër të tjera Osmani ka përmendur edhe përfundimin e mandatit të Miroslav Lajçak si i dërguar evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

“Lajçak ka edhe pak muaj mandate sepse janë zgjedhjet evropiane dhe emërimet e komisionarëve dhe përfaqësuesve të lartë. Nuk mund të paragjykojë se kush do të jenë ata. Mandati i Lajçak është deri në verë diku”.

Related Articles