Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Portugalisë, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni Sergio Souza Pinto, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e Portugalisë dhënë Kosovës.
Osmani me delegacionin portugez ka diskutuar për raportet ndërshtetërore dhe mbështetjen e Portugalisë për sa i takon procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Komisioni Evropian, sipas Osmanit, ka rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Prandaj, thotë ajo, vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente dhe hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.
Osmani ka folur edhe për rëndësinë e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ku, sipas saj, anëtarësimi në këtë organizatë avancon liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, ajo ka falënderuar Portugalinë për mbështetjen e deritashme.
Në takim u shfaq gatishmëria e dyanshme për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja parlamenteve, sikurse edhe në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, arsimit, turizmit dhe sfera të tjera të interesit të përbashkët.