Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të Mamive ka pritur një delegacion të Shoqatës së Mamive të Kosovës, të kryesuar nga kryetarja Magbule Elezi.
Në këtë takim, Shoqata e Mamive e ka njoftuar presidenten Osmani për problemet me të cilat përballet kjo fushë, duke përmendur në këtë kontekst mungesën e gjinekologeve e materniteteve në komunat e vogla, me të cilën gjë sipas tyre po rrezikohet shëndeti i grave, vajzave dhe fëmijëve.
Ka pasur kërkesë per përshpejtimin e miratimit të Ligjit të ri për shëndetësi dhe kanë përmendur sfidat e përballjes me pandeminë COVID-19.
Osmani, njëherit ka theksuar se bashkërisht me institucionet e tjera do të përpiqen t`i adresojnë problemet në këtë sektor, posaçërisht në relacion me sfidat e materniteteve në lokalitete të vogla.
Ajo ka thënë se nënat dhe fëmijët do të kenë trajtimin e duhur pikërisht në saje të punës së mamive, ndaj ka mbështetur kërkesat për përmirësimin e pozitës së gjithmbarshme të tyre.
Presidentja Osmani ka dhënë mbështetje edhe për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mamive, sikurse edhe rritjen e numrit të tyre në institucionet shëndetësore.