Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me medaljen prestigjioze “Faithful and Meritorious Medal for Service to Country” (Medalja për Shërbim Besnik dhe Meritor ndaj Vendit) nga Guvernatori i Përgjithshëm i Antigua dhe Barbuda, Sir Dr. Rodney Williams, sipas autorizimit nga Mbreti Charles III.
Kreu i Shtetit të Antigua dhe Barbuda deklaroi se kjo medalje e lartë shtetërore i është ndarë Presidentes Osmani në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e saj të guximshëm, kontributin e jashtëzakonshëm për paqen, demokracinë dhe avancimin e rolit të grave në udhëheqje, si dhe për përkushtimin e saj të palëkundur në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në fjalimin e tij të posaçëm gjatë darkës së organizuar mbrëmë për zyrtarët e lartë të shteteve pjesëmarrëse në Forumin për Gratë Paqen dhe Sigurinë, Guvernatori i Përgjithshëm Sir Rodney Williams e cilësoi Presidenten Osmani “shembull frymëzues i udhëheqjes bashkëkohore dhe një zë i palëkundur për drejtësinë dhe barazinë në skenën ndërkombëtare”. Ai theksoi se: “vizioni dhe integriteti i Presidentes Osmani kanë kaluar kufijtë e shtetit të saj, duke prekur zemrat dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve në të gjithë botën, sidomos grave dhe vajzave”.
Presidentja Osmani e cilësoi këtë dekoratë si një nder të jashtëzakonshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Kjo dekoratë është për popullin tim, i cili ka qëndruar gjithmonë me dinjitet dhe vendosmëri në mbrojtje të lirisë”, ka deklaruar Presidentja Osmani gjatë pranimit të Medaljes.
Medalja Zyrtare e Shquar për Shërbim Besnik dhe të Merituar ndaj Atdheut, përfaqëson një nga dekoratat më të larta shtetërore të Antigua dhe Barbuda, që u jepet personaliteteve me merita të veçanta në shërbim të vendit të tyre dhe me ndikim të dukshëm në përparimin e vlerave universale.