Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin kryesor në ceremoninë zyrtare të Ditës së Kosovës në kuadër të EXPO 2025, që po mbahet në Osaka të Japonisë.
Në fjalën e saj, Presidentja Osmani kujtoi Ditën e Çlirimit të Kosovës, që shënohet më 12 qershor, duke e përshkruar atë si një ditë që nderon guximin e atyre që luftuan për liri dhe fuqinë e aleancave që mbështetën popullin e Kosovës në momentet më të vështira.
“Populli ynë u lirua përfundimisht nga një regjim gjenocidal – një ditë që nderon kujtimin e atyre që dhanë sakrificën më të madhe”, tha ajo.
Ajo theksoi se sot Kosova është një shtet demokratik që shikon drejt të ardhmes, i udhëhequr nga sundimi i ligjit dhe një brez i ri vizionar, i përkushtuar ndaj vlerave euro-atlantike.
Presidentja vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet me Japoninë, duke e cilësuar mbështetjen japoneze pas luftës si themel të një miqësie të fortë e të qëndrueshme.
“Ndërsa Kosova vazhdon rrugën e zhvillimit dhe forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare, presim me padurim thellimin e mëtutjeshëm të këtij partneriteti”, përfundoi Osmani.