Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Japoni, raporton Gazeta “Enigma”.
Osmani gjatë kësaj vizite ka marrë pjesë në aktivitete zyrtare për shënimin e Ditës së Kosovës në Ekspozitën Botërore Expo 2025 në Osaka.
Në hapjen zyrtare të kësaj dite, presidentja Osmani u prit nga ministri japonez, Naoki Okada, i cili është përgjegjës për Expo Osaka 2025. Gjatë fjalimit të saj, Osmani ka përmendur Ditën e Çlirimit të Kosovës, e cila do të shënohet nesër, si dhe ka folur për bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe Japonisë.
“Mbështetja e Japonisë për popullin tonë, veçanërisht pas luftës dhe në shumë faza të rindërtimit, nuk do të harrohet kurrë. Ajo ka formuar një themel të fortë miqësie dhe partneriteti që gëzojmë sot, një miqësi, një miqësi që mbështetet në vlera të përbashkëta, por edhe në vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen”, tha Osmani, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti.
“Ndërsa Kosova vazhdon rrugën e saj të zhvillimit në angazhimin ndërkombëtar, do të presim me padurim të kemi partneritet të thellë, në të gjitha institucionet, akademitë, biznese, si dhe në kulturë”, shtoi ajo.
Po ashtu, në këtë aktivitet mbajti një fjalim edhe ministri japonez Naoki Okada, i cili theksoi se marrëdhëniet mes dy shteteve janë forcuar vazhdimisht. Ai gjithashtu përmendi arritjet e Kosovës në xhudo, duke e përshëndetur suksesin e sportistëve kosovarë në këtë fushë.
“Që nga njohja e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran nga Japonia në vitin 2008, Japonia e ka mbështetur vazhdimisht shtetin, veçanërisht që nga viti 2018 Japonia është angazhuar në bashkëpunime të ndryshme ekonomike me Kosovën dhe përpjekjet e saj për një zhvillim kombëtar, paqe dhe stabilitet në rajon, dhe rrugën drejt BE-së”, tha Okada.
Ceremonia e hapjes zyrtare të Ditës së Kosovës u përcoll edhe me një koncert të veçantë nga Filharmonia e Kosovës, duke shtuar një dimension kulturor në këtë ngjarje të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy shteteve.