Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka parë propozim formal për dërgimin e draft-statutit evropian të Asociacionit në Komisionin e Venecias, pasi kryeministri Albin Kurti tha se do ta bënte një gjë të tillë.
“Nuk kam parë një ide të tillë të prezantuar formalisht. Kurdo që prezantohet tek institucioni i Presidencës si kreu i shtetit dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme, e shqyrtoj dhe pastaj ju njoftoj”, tha Osmani.
Ajo tha se ide që prezantohen në media nuk mund t’i shohë si formalisht të prezantuara.
“Përcaktimi i objektivave të politikës së jashtme bëhet nga kreu i shtetit si udhëheqëse e politikës së jashtme. Pra, kurdo që prezantohet një ide e tillë, do ta shqyrtoj. Por, mendoj që është me rëndësi që çdo propozim dhe ide të analizohet vetëm në kontekst të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nëse e vlerësojnë se kjo e ndihmon Republikën, natyrisht se nuk ka asnjë arsye që kjo të mos përkrahet. Por duhet të prisni edhe pak derisa ta diskutojmë në mënyrë formale këtë propozim”, shtoi Osmani. /Gazeta Enigma