Ka nisur takimi i thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut pas rasteve të fundit të dhunës dhe vrasjeve të grave.
Presidentja Osmani ka treguar se ka dashur të thërras Këshillin Kombëtarë të Sigurisë pasi ajo e “konsideron emergjencë kombëtare” dhunën ndaj grave.
“Por në Këshillin Nacional nuk janë të përfaqësuara institucionet e drejtësisë, kështu që e ftuam këtë, dhe kur institucionet e drejtësisë pranuar atëherë ju ftuam edhe juve të tjerëve. Sot përkundër aprovimit për takim, institucionet e drejtësisë na njoftuan me shkrim që nuk do të vijnë”, ka deklaruar Osmani.
“Ato totalisht janë të papërgjegjshme dhe të pandjeshme me jetën e qytetarëve tanë. Shkelje e betimit që e japin personat që përfaqësojnë institucionet e drejtësisë. Por, sa është etike ta bojkotojnë shtetin kur në pyetje është jeta e qytetarëve, le ta vlerësojnë vetë”, ka shtuar e para e vendit.
Më tej, ajo ka treguar qëllimin e ftesës për institucionet e drejtësisë ku sipas saj, synimet i kanë që t’i bashkojnë forcat.
“Pasi qytetarët tanë presin nga ne, është ti bashkojmë forcat, e jo ti tregojmë inatet. Ky takim është i jashtëzakonshëm”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka përfunduar duke thënë se për fat të keq as Sadie Godeni as Hamide Magashi nuk janë në mesin tonë, dhe kjo pikërisht në 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.