Osmani për Kadarenë: Ishte gjeniu shqiptar, populli i Kosovës sot është në zi

Osmani për Kadarenë: Ishte gjeniu shqiptar, populli i Kosovës sot është në zi

Në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë njëri ndër shkrimtarët më të arritur shqiptar, Ismail Kadare.

Për vdekjën e tij ka reaguar edhe e para e vendit, Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ajo ka thënë se ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar.

“…Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”.

Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht. Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit”, ka shkruar Osmani. /Gazeta Enigma

Related Articles