Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e Procesit Aqaba në Bullgari

Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e Procesit Aqaba në Bullgari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Bullgari me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II, dhe presidentit bullgar, Rumen Radev, për të marrë pjesë në Samitin e nivelit të lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, që po mbahet në Sofje.

Në kuadër të vizitës zyrtare, presidentja Osmani do të mbajë një fjalim në hapje të samitit dhe do të zhvillojë takime bilaterale me disa prej liderëve pjesëmarrës.

Gjatë këtyre takimeve do të trajtohen çështje që lidhen me thellimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin në fushën e sigurisë si dhe forcimin e përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin në rajon.

Procesi Aqaba, i iniciuar nga Mbreti Abdullah II në vitin 2015, synon të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe global në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Samiti në Sofje organizohet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë.

Sipas një njoftimi të Presidencës, Osmani do të theksojë rolin aktiv të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë me aleatët dhe partnerët strategjikë. Ajo pritet të riafirmojë angazhimin e vendit për sigurinë rajonale dhe për zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike.

Gjatë qëndrimit në Sofje, presidentja Osmani është takuar edhe me homologun e saj kroat, Zoran Milanoviq, duke vlerësuar rolin e Kroacisë si një aleate e rëndësishme e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë./GazetaEnigma/

Related Articles